Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit u ka bërë thirrje linjave ajrore që të vazhdojnë të shmangin fluturimet mbi Iranin, Irakun dhe Libanin, pavarësisht arritjes së një marrëveshjeje kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas EASA-s, rekomandimi për të evituar këto korridore ajrore mbetet në fuqi deri më 1 korrik, për shkak të rreziqeve të vazhdueshme të sigurisë dhe paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.
Agjencia vlerëson se ekziston ende mundësia e shkeljeve afatshkurtra të armëpushimit mes SHBA dhe Iran, veçanërisht në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit dhe hapësirën ajrore përreth.
EASA paralajmëron gjithashtu se armëpushimi i brishtë mes Izrael dhe Hezbollah mbetet një faktor rreziku, pasi çdo përshkallëzim i mundshëm ushtarak mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e fluturimeve mbi territorin e Libanit.
Autoritetet evropiane të aviacionit po monitorojnë nga afër situatën dhe u kërkojnë operatorëve ajrorë të tregojnë kujdes maksimal gjatë planifikimit të itinerareve në rajon, derisa të ketë një stabilizim më të qëndrueshëm të situatës së sigurisë.
