Një operacion i Agjencisë Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në Hjuston ka përfunduar me vrasjen e një shtetasi meksikan, pasi një agjent federal hapi zjarr gjatë një tentative arrestimi. Ngjarja është vënë nën hetim nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), mes pretendimeve kontradiktore të autoriteteve dhe familjarëve të viktimës.
Sipas ICE, incidenti ndodhi rreth orës 06:50 të mëngjesit, kur agjentët tentuan të arrestonin Lorenzo Salgado Araujo, i identifikuar si një shtetas meksikan pa dokumente të rregullta. Autoritetet pretendojnë se ai tentoi të përplaste me automjet një oficer të ICE-së, duke detyruar agjentin të përdorte armën në kushtet e vetëmbrojtjes.
Megjithatë, familjarët e viktimës hedhin poshtë këtë version. Djali i tij, Ronaldo Salgado, deklaroi se babai kishte dalë herët atë mëngjes për të kërkuar punë dhe nuk përbënte asnjë kërcënim.
Pas ngjarjes, ICE bëri të ditur se hetimet i janë kaluar FBI-së, e cila do të verifikojë rrethanat e incidentit dhe përdorimin e armës nga agjenti federal. Deri më tani, agjencia nuk ka publikuar pamje filmike apo prova të tjera që mbështesin versionin e saj.
Rasti pritet të intensifikojë debatin në Shtetet e Bashkuara mbi operacionet e emigracionit dhe përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga agjentët federalë.
