Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se administrata e qytetit po shqyrton mundësitë ligjore për arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në rast se ai viziton New Yorkun për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që pritet të mbahet në shtator.

Në një intervistë për “The New York Times”, Mamdani tha se çështja është aktualisht në diskutim me departamentin ligjor të bashkisë, për të përcaktuar se çfarë kompetencash kanë autoritetet vendore në një rast të tillë.

“Besoj se kryeministri Netanyahu i përket Hagës. Ai është një kriminel lufte ndaj të cilit është lëshuar urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Çfarëdo që ligji më lejon të bëj në New York, atë do ta bëjmë”, u shpreh Mamdani.

Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër-arrest ndaj Benjamin Netanyahut, duke e akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të dyshuara gjatë konfliktit në Gaza. Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza dhe nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate.

Megjithatë, ekspertët ligjorë vlerësojnë se çdo përpjekje për zbatimin e këtij urdhri në territorin amerikan do të përballej me sfida të mëdha juridike, pasi Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Statutit të Romës, traktatit mbi të cilin është themeluar Gjykata Ndërkombëtare Penale, dhe nuk e njohin juridiksionin e saj.