Inteligjenca Artificiale po prek çdo sektor, ndonjëherë edhe në mënyra që nuk priten, e këtu as gazetaria nuk bën përjashtim.

Reporterët e portalit teknologjik The Verge zbuluan se Google ishte duke kryer eksperimente mbi titujt e artikujve që shfaqen në motorin e kërkimit, duke i ndryshuar, e shpeshherë duke tjetërsuar kuptimin e tyre.

Gazetarët e medias në fjalë vunë re tituj të rishkruar që ndryshojnë edhe kuptimin e përgjithshëm të artikujve, dhe përgjegjësi sipas tyre, duket të jetë inteligjenca artificiale e Google. Kompania nuk mohoi ndërhyrjet, por u justifikua duke thënë se bëhet fjalë për një eksperiment me ndikim të kufizuar.

Ideja, sipas përfaqësuesve të Google është “të identifikohet përmbajtja e një faqeje e cila mund të prodhojë një titull të dobishëm dhe të rëndësishëm për përdoruesit”.

The Verge thotë se fenomeni në fakt është pikasur vetëm në një numër të vogël titujsh. Por cështja është se e njëjta media e ka diktuar edhe më parë një praktikë të tillë, po tek ky motor kyc kërkimi në internet.

“Ndryshimi i titujve dhe i kuptimit të tyre e bën gazetarinë më pak të besueshme, në një kohë kur media përballet me institucione të fuqishme që përpiqen ta diskreditojnë, dhe është tashmë në vështirësi për të mbijetuar”, pohuan të shqetësuar drejtues të The Verge.