Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord të shmangin përshkallëzimin e tensioneve dhe të “lënë njëri-tjetrin të qetë” për të paktën një javë, pas një bisede që ai e cilësoi si shumë të mirë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Duke folur para gazetarëve, Trump tha se Netanyahu kishte reaguar pas sulmeve të fundit, por se tani të dyja palët kanë vendosur të ndalojnë përplasjet.
“Ai pësoi një goditje dhe u kundërpërgjigj, dhe nuk mund ta fajësoj për këtë. Por tani kanë vendosur ta ndalin këtu. Kështu që thjesht do ta lënë njëri-tjetrin të qetë edhe për rreth një javë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se SHBA-ja ndodhet në fazat përfundimtare të një marrëveshjeje që, sipas tij, do të garantojë që Irani të mos ketë në asnjë rrethanë armë bërthamore.
“Jemi në fazat e fundit të një marrëveshjeje shumë, shumë të mirë, e cila nuk do të lejojë në asnjë mënyrë armë bërthamore”, deklaroi ai.
Trump shtoi se, me nënshkrimin e marrëveshjes, mund të rihapet menjëherë edhe Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
“Ngushtica do të hapet menjëherë. Kjo mund të ndodhë brenda dy ose tre ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes”, tha presidenti amerikan.


