Gjykata e Apelit në Paris ka shpallur fajtore kompaninë ajrore Air France dhe prodhuesin europian të avionëve Airbus për vrasje nga pakujdesia, lidhur me tragjedinë e fluturimit AF447 në vitin 2009, ku humbën jetën 228 persona.
Vendimi përmbys një tjetër vendim të dhënë në vitin 2023, kur të dy kompanitë ishin shpallur të pafajshme. Pas procesit në apel, gjykata arriti në përfundimin se ato mbajnë përgjegjësi për aksidentin fatal.
Fluturimi AF447, që udhëtonte nga Rio de Janeiro drejt Paris, u rrëzua më 1 qershor 2009 në Oqeanin Atlantik, pasi humbi kontaktin gjatë një stuhie të fortë. Në bord ndodheshin 216 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, të cilët humbën jetën.
Sipas hetimeve, avioni tip Airbus A330 hyri në bllokim aerodinamik gjatë turbulencave dhe ra nga një lartësi prej rreth 11 mijë metrash. Mbetjet e avionit u gjetën pas kërkimeve intensive, ndërsa kutia e zezë u lokalizua dy vite më vonë.
Në sallën e gjyqit në Paris ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimave nga Franca, Brazili dhe Gjermania. Prokuroria kishte kërkuar gjoba deri në 225 mijë euro për secilën kompani, por shumë familje të viktimave e kanë konsideruar këtë masë si të pamjaftueshme.
Si Air France ashtu edhe Airbus kanë kundërshtuar vendimin dhe pritet të vijojnë betejën ligjore me ankime të mëtejshme.
