Autoritetet në kryeqytetin indian, Delhi kanë mbyllur të gjitha shkollat dhe gjimnazet për një kohë të pacaktuar pas alarmit të ngritur për nivelet të përkeqësuara të ndotjes së ajrit.

Gjithashtu, janë ndaluar të gjitha punimet në fushën e ndërtimit, të paktën deri më datë 21 nëntor, me përjashtim të projekteve që lidhen me transportin dhe ato në fushën e mbrojtjes.

Vetëm pesë nga 11 termocentralet me qymyr në qytet janë lejuar të funksionojnë. Një mjegull helmuese ka mbytur Delhi që nga festivali i Diwali-t, festivali tradicional hindu.

Nivelet e PM2.5, grimca të vogla që mund të bllokojnë mushkëritë e njerëzve në Delhi janë shumë më të larta se udhëzimet e sigurisë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Disa pjesë të qytetit shënuan shifra afër, ose më të larta se 400 ditën të martën, e cila është kategorizuar si “e rëndë”.

Një shifër midis zeros dhe 50 konsiderohet “e mirë” dhe midis 51 dhe 100 është “e kënaqshme”, sipas indeksit të cilësisë së ajrit.

Disa shkolla ishin mbyllur tashmë javën e kaluar për shkak të ndotjes dhe qeveria e Delhit tha se ishte duke menduar për ndalim qarkullimi për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

Një përzierje faktorësh si emetimet e automjeteve dhe ato industriale, pluhuri dhe moti e bëjnë Delhi-n kryeqytetin më të ndotur në botë. Ajri bëhet veçanërisht toksik në muajt e dimrit pasi fermerët në zonat fqinje djegin kashtën e të korrave dhe fishekzjarret gjatë festivalit të Diwali, që ndodh në të njëjtën kohë, vetëm sa përkeqësojnë cilësinë e ajrit.