Një refuzim për të dalë në takim dyshohet se është kthyer në një përndjekje të vazhdueshme dhe më pas në një sulm me thikë ndaj një vajze në Cirencester të Gloucestershire, në Britaninë e Madhe. Për ngjarjen është dënuar një 14-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për shkak të moshës.

Sipas të dhënave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, adoleshenti dhe vajza njiheshin nga shkolla. Në dhjetor 2025, ajo kishte refuzuar afrimet e tij, por 14-vjeçari dyshohet se nuk ishte tërhequr. Ai kishte hapur profile të rreme në rrjetet sociale, përmes të cilave vazhdonte t’i dërgonte mesazhe.

Situata përshkallëzoi mëngjesin e 15 marsit. Vajza ndodhej në një dyqan në Cirencester kur adoleshenti e ndoqi dhe iu afrua. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentet kur ai afrohet pa shkaktuar fillimisht dyshime dhe më pas nis ta godasë disa herë me thikë.

Një punonjës i dyqanit ndërhyri për t’i ardhur në ndihmë vajzës dhe për të ndalur agresorin, por gjatë përleshjes u plagos edhe ai me thikë në shpinë.

Sulmi vijoi brenda ambienteve të biznesit. Në pamjet e kamerave, vajza shihet duke tentuar të largohet me vrap, ndërsa 14-vjeçari e ndjek ende me armën e ftohtë në dorë. Ajo arriti përfundimisht të dilte jashtë dhe kërkoi ndihmë në një banesë pranë dyqanit.

Nga sulmi, e mitura pësoi plagë në qafë, fytyrë dhe duar, si dhe dëmtime në pjesën e shpinës. Autori u largua nga vendi i ngjarjes, por policia arriti ta lokalizonte dhe ta ndalonte pak më vonë. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën një thikë në xhepin e pantallonave të tij.

Përpara gjykatës, 14-vjeçari pranoi fajësinë për akuzat që lidhen me plagosjen me dashje, shkaktimin e dëmtimeve të rënda trupore pa dashje dhe mbajtjen e një arme të ftohtë në një hapësirë publike.

Gjykata vendosi ndaj tij një urdhër referimi me kohëzgjatje 12 muaj, ndërsa për tre vitet e ardhshme i ndalohet të kontaktojë vajzën.

Pasojat e ngjarjes, megjithatë, kanë vazhduar edhe pas shërimit të plagëve. Në deklaratën e paraqitur në gjykatë, vajza tregoi se sulmi i ka ndryshuar ndjeshëm ndjesinë e sigurisë dhe se tashmë trembet edhe nga lëvizjet e papritura të njerëzve pranë saj.

“Jam e frikësuar dhe nervoze kudo që shkoj”, u shpreh ajo, duke treguar gjithashtu se përjeton makthe të përsëritura për momentet e sulmit.

Detektivi Ian Fletcher, nga policia e Gloucestershire, e përshkroi rastin si një sulm të rëndë dhe të dhunshëm të kryer në mes të ditës. Sipas tij, vajza ka qenë jashtëzakonisht me fat që dëmtimet nuk rezultuan më të rënda, pasi sulmi mund të kishte pasur pasoja fatale.