Një grua në Brazil, e diplomuar për drejtësi, akuzohet se ka vrarë katër persona gjatë një periudhe 5 mujore, pasi më parë kishte testuar helmin te 10 qen.

“The Sun” shkruan se, Ana Paula Veloso Fernandes dyshohet se ka nisur serinë e saj të vrasjeve pasi vrau një burrë 65-vjeçar me një gjellë të helmuar. Më pas, 36-vjeçarja akuzohet për tre vrasje të tjera, të kryera mes janarit dhe majit 2025, në qytetet Guarulhos, Sao Paulo dhe Duque de Caxias në Brazilin juglindor.

Autoritetet thonë se në disa prej krimeve, ajo është ndihmuar nga motra e saj binjake, Roberta Cristina Veloso Fernandes, dhe një mike 43-vjeçare, Michelle Paiva da Silva, e cila është vajza e njërës prej viktimave.

Hetuesit po e përshkruajnë rastin si “një kombinim të hakmarrjes dhe përfitimit financiar”. Sipas shefit të policisë, Halisson Ideiao, Ana Paula përdorte strategji të ndryshme për t’u afruar me viktimat, ndërsa “në çdo rast ajo ishte personi i fundit që kishte kontakt me ta dhe e para që telefononte policinë”.

“Ana Paula kënaqet duke vrarë. Motivimi i saj nuk ka shumë rëndësi, ajo thjesht do të vrasë”, deklaroi Ideiao për mediat.

Viktima e parë mendohet të jetë Marcelo Fonseca, i vrarë në janar, pasi Fernandes ishte futur në shtëpinë e tij duke u shtirur si qiramarrëse. Brenda katër ditësh, ajo e kishte helmuar dhe kishte lënë trupin të dekompozohej.

Në prill, Maria Aparecida Rodrigues u gjet e vdekur pasi kishte pirë kafe në shtëpinë e saj. Fernandes më pas dyshohet se tentoi ta fajësonte ish-të dashurin e saj, një oficer policie, duke falsifikuar shënime dhe duke përgatitur një tortë të dyshuar të helmuar për ta mbështetur historinë e rreme.

Po atë muaj, Neil Correia da Silva, babai i një shoqeje të klasës së saj, vdiq pasi hëngri ushqim të helmuar. Policia beson se vajza e tij, Michelle Paiva de Queiroz, kishte paguar Fernandes rreth 540 paund (4,000 realë brazilianë) për ta vrarë.

Viktima e fundit ishte një 21-vjeçar tunizian, Hayder Mhazres, me të cilin ajo kishte një lidhje romantike. Pas ndarjes, Fernandes kishte rrejshëm pretenduar se ishte shtatzënë dhe, pasi ai e refuzoi, dyshohet se e helmoi me një milkshake.

Gjatë kontrollit në banesën e saj, policia gjeti një pesticid të ndaluar, të ngjashëm me helmin për minjtë (terbufos). Fernandes thuhet se i kishte testuar përbërjet helmuese më parë tek 10 qen, për të parë efektin përpara se t’i përdorte ndaj njerëzve.

Shefi i policisë e përshkroi si një vrasëse “jashtëzakonisht manipuluese”, që tregonte “ftohtësi, mungesë pendese dhe kënaqësi të qartë, jo vetëm në kryerjen e krimeve, por edhe duke qëndruar pranë për të parë efektin e tyre”.

“Ajo do të përpiqej të vriste përsëri nëse do të kishte mundësi”, shtoi Ideiao.

Të tria gratë e përfshira janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim në pritje të gjykimit.