Zbulohen detaje tronditëse nga vrasja brutale e 23-vjeçares ukrainase Iryna Zarutska, e therur me thikë më 22 gusht 2025 në një tren. Autori, DeCarlos Brown Jr., një 34-vjeçar i pastrehë dhe me histori të rënduar të problemeve mendore, i tha motrës së tij se e vrau Iryna-n sepse “besonte se ajo po i lexonte mendjen”.
Në një telefonatë nga burgu, të siguruar nga Daily Mail, Brown deklaron se “materiali në trupin e tij”, dhe jo ai vetë, ishte përgjegjës për vrasjen. Ai shton: “As nuk e njihja. Nuk i thashë asnjë fjalë. Thjesht ndodhi. Pse dikush do të godiste dikë me thikë pa arsye?”
Motra e tij, Tracey Brown, e cila vetë ishte viktimë e një sulmi të mëparshëm nga vëllai, thotë se ai vuan nga skizofrenia paranojake dhe kishte pretenduar disa herë se qeveria i kishte implantuar një çip në tru. “Ai ishte një rrezik i lartë. Kishte nevojë për trajtim afatgjatë, por sistemi dështoi ta ndihmonte,” u shpreh ajo për CNN.
Në janar 2025, Brown ishte arrestuar pasi kishte telefonuar policinë, duke pretenduar se truri i tij po kontrollohej. Megjithatë, në një seancë gjyqësore më 21 janar, ai u la i lirë me kusht, ndërkohë që testi psikiatrik i urdhëruar u shty për më shumë se një vit.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim publik dhe ka rihapur debatet mbi neglizhencën institucionale ndaj personave me çrregullime mendore, si dhe mbi sigurinë publike. Vdekja tragjike e Iryna Zarutskës, e cila kishte ardhur në SHBA për të shpëtuar nga lufta në Ukrainë, është përkujtuar me dhimbje dhe mesazhe solidariteti në rrjetet sociale.