Një aksident ajror i rëndë ka ndodhur në jugperëndim të Finlandës, ku dy helikopterë civilë janë përplasur në ajër duke shkaktuar vdekjen e pesë personave. Ngjarja u shënua, afër aeroportit të Eura-s.

Sipas Byrosë Kombëtare të Hetimeve të Finlandës (NBI), të dy helikopterët transportonin pasagjerë njëri kishte dy persona në bord, ndërsa tjetri tre. Asnjë nga pasagjerët nuk ka mbijetuar. Trupat e viktimave u gjetën në një distancë prej rreth 100 metrash nga njëri-tjetri.

Mjetet ajrore udhëtonin nga kryeqyteti i Estonisë, Tallinn, drejt Piikajärvi-t në Kokemäki, në një distancë jo shumë të largët nga vendi i aksidentit.

Policia finlandeze dhe shërbimet e emergjencës kanë reaguar menjëherë pas marrjes së sinjalit në orën 12:35, por kanë konstatuar se të gjithë pasagjerët kishin humbur jetën në vend. Hetimet për shkaqet e sakta të përplasjes janë në zhvillim, me fokus te distanca dhe lartësia që mbajtën helikopterët në momentin e incidentit.

Hetimi po realizohet në bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve finlandeze dhe estoneze, ndërsa ekipet e sigurisë ajrore janë në terren për të analizuar çdo pistë që mund të çojë në zbardhjen e tragjedisë që ka tronditur opinionin publik në të dy vendet.