Pesë ushtarë kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në Eskisehir të Turqisë, pasditen e së martës, më 24 nëntor. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një fluturimi stërvitor, ndërsa në bord ndodheshin pesë persona.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare turke konfirmoi aksidentin, duke bërë të ditur se helikopteri i tipit AS-532 Cougar ishte ngritur nga Eskisehiri për të kryer një mision stërvitor, por gjatë fluturimit u rrëzua.
Menjëherë pas incidentit, ekipet e kërkim-shpëtimit u nisën drejt zonës së aksidentit, ku lokalizuan rrënojat e mjetit fluturues. Pas ndërhyrjes së tyre, autoritetet konfirmuan vdekjen e pesë ushtarakëve.
Ndërkohë, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në rrëzimin e helikopterit, ndërsa ende nuk ka një përfundim zyrtar mbi rrethanat e aksidentit.
Helikopteri AS-532 Cougar është një mjet ushtarak me dy motorë, i përdorur kryesisht për transport trupash, evakuime mjekësore dhe operacione kërkim-shpëtimi. Në varësi të konfigurimit, ai mund të transportojë deri në 29 ushtarë.
Ky është aksidenti i dytë fatal me një helikopter ushtarak në Turqi brenda pak javësh. Më 12 nëntor, një helikopter i tipit S-70 u rrëzua në zonën e Yesilirt, në provincën Malatya, ku humbën jetën katër ushtarë.
Edhe për atë ngjarje, autoritetet turke nuk kishin përcaktuar fillimisht shkaqet e rrëzimit.
