Një aksident tragjik ka tronditur Romën mbrëmjen e djeshme, në rrugën Cristoforo Colombo, ku 20-vjeçarja Beatrice Bellucci, e njohur nga miqtë si “Bibbi”, humbi jetën pasi automjeti i saj u përplas me një BMW që po lëvizte me shpejtësi të lartë.

Sipas mediave italiane dhe hetimeve të para, dyshohet se BMW-ja ishte pjesë e një gare makinash me një tjetër automjet, i cili është larguar nga vendngjarja pas përplasjes. Shoferi i BMW-së humbi kontrollin dhe goditi Mini Cooper-in ku ndodhej Beatrice me shoqen e saj, duke e shtyrë makinën drejt një peme në anë të rrugës.

Beatrice u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Shoferja e Mini Cooper-it dhe dy të rinjtë në BMW mbetën të plagosur.

Autoritetet italiane po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin dëshmi nga dëshmitarët për të rindërtuar momentet e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë.

Tragjedia ka shkaktuar trishtim dhe zemërim në opinionin publik italian, pasi dyshohet se shpejtësia dhe garat e rrezikshme në rrugë po kthehen në një fenomen të përsëritur në disa zona të qytetit.