Një aksident i rëndë rrugor ka shkaktuar dy viktima këtë pasdite në qarkun Caraș-Severin, në Rumani, ku kanë humbur jetën dy gra me origjinë nga Britania e Madhe.
Sipas raportimeve të mediave rumune, dy viktimat udhëtonin me një furgon, i cili u përfshi në një përplasje të fuqishme me disa mjete të tonazhit të rëndë. Përplasja ishte aq e fortë sa automjeti përfundoi i bllokuar mes dy kamionëve.
Nga të dhënat paraprake të autoriteteve, dyshohet se furgoni ka kaluar në korsinë e kundërt të lëvizjes, duke u përplasur fillimisht me një kamion që po udhëtonte në drejtimin e tij.
Pas përplasjes, furgoni është rikthyer në korsinë e vet, ku është goditur nga një tjetër kamion dhe një kamionçinë. Si pasojë e përplasjes së shumëfishtë, dy gratë mbetën të bllokuara brenda automjetit.
Ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, por nuk mundën t’i shpëtonin dy viktimat, të cilat u konfirmuan të vdekura në vend.
Autoritetet rumune kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
