Një aksident i frikshëm automobilistik është regjistruar në Positano të Italisë, ku një makinë ka përfunduar e varur në buzë të një shkëmbi, duke rrezikuar të binte në humnerë.

Ngjarja ndodhi të dielën në Via Guglielmo Marconi, në zonën turistike të Bregut të Amalfit, në provincën e Salernos. Sipas mediave italiane, një i ri që drejtonte automjetin humbi papritur kontrollin, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura.

Makina u përplas me forcë me barrierat mbrojtëse të rrugës, duke i shkatërruar ato, përpara se të mbetej e pezulluar në skajin e shkëmbit. Pamja ishte dramatike, pasi automjeti rrezikonte në çdo moment të rrëshqiste drejt humnerës.

Pavarësisht situatës kritike, shoferi arriti të dilte vetë nga makina, duke shpëtuar pa lëndime të rënda. Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi, por që fatmirësisht pati një fund të mirë.