Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar mëngjesin e sotëm në Sllovaki, pranë fshatit Jablonov nad Turňou, ku dy trena ekspres janë përplasur ballë për ballë përpara hyrjes së një tuneli hekurudhor.
Sipas burimeve lokale, nga përplasja janë plagosur të paktën 20 persona, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për viktima.
Televizioni sllovak TA3 bëri të ditur se spitalet e zonës janë vënë në gatishmëri, ndërsa njësitë e emergjencës janë mobilizuar për të përballuar situatën.
Sipas shërbimit të kërkim-shpëtimit të vendit, në vendin e ngjarjes janë dërguar menjëherë një helikopter dhe disa autoambulanca, për të ndihmuar të plagosurit dhe për të transportuar më urgjentët drejt qendrave spitalore.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e aksidentit, ndërsa dyshimet paraprake lidhen me probleme teknike ose sinjalistikën, që mund të kenë çuar në këtë përplasje fatale.