Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Danimarkë, ku dy trena janë aksidentuar duke lënë pas shumë të plagosur. Ngjarja raportohet se ka ndodhur pranë qytetit Hillerod, në veri të Kopenhagenit, dy trena lokalë u përplasën “kokë më kokë”, në rrethana që ende nuk janë sqaruar.

Sipas mediave daneze, gjithsej 17 persona raportohet të kenë mbetur të lënduar, ndërsa katër prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Të gjithë të plagosurit janë transportuar nga vendi i ngjarjes me ambulanca dhe helikopter.

Më herët, një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës kishte konfirmuar praninë e të lënduarve mes pasagjerëve, pa dhënë detaje mbi numrin apo gjendjen e tyre. Ai shtoi se të gjithë pasagjerët janë evakuuar nga trenat dhe nuk ka persona të bllokuar.