Një aeroplan i vogël është rrëzuar mesditën e djeshme në kantonin e Bernës, në Zvicër. Si pasojë e rrëzimit, piloti ka humbur jetën në vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, kur avioni i vogël është rrëzuar në një livadh për arsye që ende nuk janë të qarta. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë rrënojat e deformuara të avionit, të shtrira përmbys.
Sipas policisë kantonale të Bernës, shërbimet e emergjencës që mbërritën menjëherë në vendngjarje arritën vetëm të konfirmonin vdekjen e pilotit. “I ndjeri ishte një shtetas zviceran 64-vjeçar nga kantoni i Solothurnit”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Aktualisht nuk dihet nga është nisur avioni dhe cili ishte destinacioni i tij. Shkaku i saktë i aksidentit po hetohet nga policia kantonale e Bernës, në bashkëpunim me Bordin Zviceran të Hetimit të Sigurisë së Transportit (STSB), nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.
