Një aksident i rëndë ka ndodhur para mesditës në zonën e Voulës, në Athinë, ku janë përplasur dy autobusë urbanë në rrugën Konstandinos Karamanlis, pranë plazhit të Vulës. Si pasojë, janë plagosur 47 persona, mes tyre 17 fëmijë.

Tre të rritur janë në gjendje të rëndë, veçanërisht një i moshuar që ka pësuar dëmtime të shumta nga përplasja.

Të rriturit u dërguan në spitalet Asklipio të Vulës dhe Gennimatas, ndërsa fëmijët u trajtuan në spitalin pediatrik “Aglaia Kyriakou”.

Në vendngjarje kanë mbërritur 8 autoambulanca, 2 motoçikleta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe 3 njësi të emergjencës EKAV.

Sipas burimeve nga spitalet, asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën.

Aksidenti ndodhi kur një nga autobusët që udhëtonte drejt Varkizës u përplas nga pas nga autobusi tjetër që po shkonte drejt Saronidës. Të dy lëviznin në të njëjtin drejtim.

Kryebashkiaku i Vulës, Grigoris Konstantellos, tha se për fat të mirë nuk pati më shumë të plagosur.

Hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit janë ende në vazhdim, ndërsa në zonën ku ndodhi përplasja qarkullimi është vështirësuar për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve emergjente dhe pastrimit të rrugës.