Një aksident zinxhir ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën A1 në Zvicër, ku janë përfshirë 37 automjete, përfshirë vetura, furgonë dhe kamionë. Si pasojë e përplasjes masive, 10 persona kanë mbetur të lënduar.

Sipas televizionit publik zviceran SRF, aksidenti është regjistruar rreth orës 05:45, duke shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullimin rrugor.

Për shkak të dëmtimeve, shumica e automjeteve të përfshira në aksident është dashur të largohen me karrotrec. Ndërkohë, drejtuesit dhe pasagjerët që nuk kanë pësuar lëndime janë transportuar nga ekipet e emergjencës në një zonë pushimi, ku janë marrë në pyetje për dinamikën e ngjarjes.

Autoritetet zvicerane po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa dyshimet paraprake të policisë lidhen me kushtet e vështira dimërore në rrugë.

Përplasja masive ka detyruar autoritetet të mbyllin autostradën A1 në drejtim të St. Gallenit. Drejtuesve të automjeteve u është kërkuar të përdorin itinerare alternative, pasi segmenti rrugor pritet të mbetet i bllokuar deri në orët e vona të pasdites.