Dy persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një aeroplani të vogël brenda një hangari në Aeroportin Parafield në Adelaide, të mërkurën pasdite sipas kohës lokale, kanë bërë të ditur autoritetet.
Sipas policisë së Australia Jugore, aeroplani u përfshi nga flakët menjëherë pas rrëzimit, duke shkaktuar mobilizimin e shërbimeve të emergjencës dhe evakuimin e zonës përreth. Kryeministri i shtetit, Peter Malinauskas, tha se ka edhe të plagosur të tjerë, pa dhënë detaje mbi gjendjen e tyre.
Byroja Australiane e Sigurisë së Transportit (ATSB) bëri të ditur se aeroplani ishte një Diamond DA42 me dy motorë, i projektuar për deri në katër pasagjerë. Aeroporti Parafield e ka cilësuar ngjarjen si një “incident serioz” dhe po bashkëpunon me autoritetet për hetimin e plotë.
Zjarri u vu nën kontroll, por aeroporti mbetet i mbyllur përkohësisht. Kryeministri Malinauskas shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga tragjedia.
Parafield është një nga aeroportet më të ngarkuara për avionët e vegjël në Australi dhe përdoret kryesisht për trajnimin e pilotëve. Në janar të këtij viti, në të njëjtin aeroport ndodhi një incident i ngjashëm, ku një avion u rrëzua, por piloti shpëtoi pa lëndime.
