Trembëdhjetë persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në provincën Henan të Kinës, pasi një minibus u përplas me një kamion gjysmërimorkio në autostradën e qytetit Nanyang.

Sipas autoriteteve lokale, minibus-i ishte i regjistruar për deri në nëntë pasagjerë, por në momentin e aksidentit po transportonte 16 persona.

Përplasja me kamionin ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar viktima të shumta në vend.

Tre persona të tjerë që ndodheshin në mjetin e vogël kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Policia e trafikut ka bërë të ditur se është hapur një hetim për të sqaruar shkaqet e aksidentit, ndërsa ekipet përkatëse kanë shkuar në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të mbledhur provat.

Autoritetet po shqyrtojnë edhe faktin se minibus-i ka qenë i mbingarkuar, gjë që mund të ketë ndikuar në tragjedinë rrugore.