Tre persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë detar të ndodhur në zonën mes ishujve Braç dhe Sholta, në Dalmacinë qendrore të Kroacisë.

Sipas mediave kroate, përplasja ka ndodhur në një nga korridoret më të frekuentuara të lundrimit në Adriatik, ku janë përfshirë një katamaran dhe një varkë me vela. Ngjarja ka shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të emergjencës, policisë detare dhe autoriteteve portuale, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje pak minuta pas sinjalizimit.

Përveç viktimave, raportohet edhe për disa persona të plagosur, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve më të afërta për trajtim mjekësor.

Autoritetet kroate kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të përplasjes, e cila dyshohet se ka ndodhur në një zonë me trafik të lartë detar. Dëshmitarët po merren në pyetje, ndërsa ekspertët po analizojnë kushtet e lundrimit në momentin e aksidentit.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten detaje të tjera nga autoritetet vendase.