Një aksident tragjik ka tronditur Meksikën, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën pas daljes nga rruga të një autobusi pasagjerësh në pjesën perëndimore të vendit.

Ngjarja ndodhi pranë zonës Amatlán de Cañas, në shtetin Nayarit, ku autobusi turistik, që po transportonte udhëtarë nga Jalisco, u përmbys për arsye që ende nuk janë sqaruar nga autoritetet.

Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e aksidentit dhe nisën operacionin e shpëtimit. Sipas bilancit paraprak, dhjetëra persona mbetën të plagosur, ndërsa disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Autoritetet bëjnë me dije se një pjesë e viktimave humbën jetën në vendngjarje, ndërsa të tjerë nuk arritën t’u mbijetonin plagëve pas transportimit në spital.

Aksidentet me pasoja të rënda janë një problem i vazhdueshëm në rrugët e Meksikës, ku shpesh regjistrohen përplasje apo dalje nga rruga të mjeteve të transportit publik.

Vetëm muajt e fundit, vendi ka përjetuar disa tragjedi të ngjashme, përfshirë përplasjen mes një treni mallrash dhe një autobusi në pjesën qendrore të Meksikës, si dhe aksidentin fatal në jug të vendit ku dhjetëra persona humbën jetën pas përplasjes së një autobusi me një kamion.