Numri i viktimave nga aksidenti tragjik hekurudhor i së dielës në Spanjë ka arritur në 41, ndërkohë që 122 persona janë plagosur, prej të cilëve 41 ndodhen në spital. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Cordoba ka kryer deri tani 23 autopsi, me 27 mjekë ligjorë që po punojnë për identifikimin e trupave. Identifikimet po realizohen përmes gjurmëve të gishtërinjve, ndërsa deri tani janë identifikuar 7 prej viktimave.

Për të mbledhur ADN, Garda Civile ka ngritur pesë pika në qytetet Madrid, Kordoba, Sevilje, Huelva dhe Malaga. Ndërkohë, puna për nxjerrjen e trupave nga njëri prej vagonëve të trenit Alvia, ku tre persona kanë mbetur të bllokuar, vijon. Pritet të fillojnë punimet me makineri të rëndë për të larguar vagonët dhe për të mundësuar aksesin në zonën e bllokuar.

Aksidenti ndodhi kur një tren i kompanisë Iryo, që udhëtonte nga Malaga për në Madrid, doli nga shinat në orën 19:40 të së dielës, duke përplasur trenin Alvia të Renfe-s që po udhëtonte nga Madridi për në Huelva. Hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e aksidentit.

Sipas një hetimi të publikuar nga Reuters, është zbuluar një shkëputje në shina, që mund të ketë kontribuar në ngjarjen tragjike. Dëmtimi në lidhjen e shina, e njohur si “fishplate”, ka krijuar një hapësirë midis segmenteve të shinës dhe ka vazhduar të zgjerohet me kalimin e trenave, duke çuar në aksidentin fatkeq.

Ish-presidenti i Renfe-s, Álvaro Fernandez Heredia, theksoi se ishte ende herët për të nxjerrë një përfundim për shkakun, por shtoi se aksidenti ka ndodhur në “rrethana të çuditshme”, duke përjashtuar mundësinë e gabimit njerëzor.

Në lidhje me trenin që shkaktoi aksidentin, Iryo, një operator privat, ka deklaruar se inspektimi rutinë i trenit, i kryer më 15 janar nga prodhuesi Hitachi Rail, nuk ka gjetur asnjë anomali. Treni është një model Frecciarossa 1000, që përdoret gjithashtu në rrjetin hekurudhor të Italisë.