Zyrtarët portugezë që kanë hetuar daljen vdekjeprurëse të një tramvaji nga binarët në Lisbonë më 3 shtator, kanë thënë se faji duket se ka qenë te këputja e kabllos, pasi pjesa tjetër e mekanizmit ka qenë duke funksionuar mirë.

“Pas hetimeve të kryera në vendin e ngjarjes, është vërtetuar menjëherë se kablloja që lidhte dy vagonët ishte e prishur”, ka bërë të ditur Zyra Kombëtare për Transport, përmes një deklarate.

Frenuesi ka bërë përpjekje që t’i përdorë frenat emergjentë, mirëpo nuk ka arritur të parandalojë përplasjen, kanë thënë ata.

Për pasojë, 16 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur, pasi tramvaji i verdhë ikonik, Gloria është përplasur me një ndërtesë.

Policia ka thënë se në mesin e të vdekurve janë pesë portugezë, tre britanikë, dy koreanojugorë, dy kanadezë, një amerikan, një ukrainas, një zviceran dhe një francez.

Tramvaji 140-vjeçar është i dizajnuar për t’i bartur pasagjerët nga zonat e pjerrëta të Lisbonës dhe është mjet i rëndësishëm transporti për banorët e qytetit, po edhe atraksion për turistët.

Sipas hetuesve, tramvaji ka qenë duke udhëtuar 60 kilometra në orë kur e ka goditur ndërtesën.

Ende nuk dihet sa persona kanë qenë duke udhëtuar me këtë pajisje – e cila është menduar për 40 pasagjerë – dhe sa prej tyre kanë qenë në rrugë.

Kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro, e ka përshkruar rastin si “njërën prej tragjedive më të mëdha të së kaluarës tonë të afërt”./REL