Miliarderi indian Gautam Adani ka pranuar të paguajë rreth 18 milionë dollarë në kuadër të një marrëveshjeje me autoritetet amerikane, lidhur me një hetim për korrupsion në New York.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Adani Group, marrëveshja përfshin edhe bashkëpunëtorë të tij dhe lidhet me hetimet e nisura në fund të vitit 2024. Megjithatë, Adani nuk ka pranuar dhe as mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Prokurorët amerikanë pretendojnë se ai dhe persona të tjerë kanë qenë pjesë e një skeme ryshfeti me vlerë rreth 250 milionë dollarë, që dyshohet se synonte sigurimin e kontratave për projekte të energjisë diellore në India dhe mashtrimin e investitorëve ndërkombëtarë.
Sipas autoriteteve, pagesat e dyshuara janë bërë ndaj zyrtarëve indianë për të favorizuar kompanitë e grupit në tendera të mëdhenj energjetikë. Nga ana tjetër, Gautam Adani i ka kundërshtuar më herët akuzat, duke i cilësuar të pabazuara.
Në një deklaratë për bursën e Mumbait, “Adani Group” theksoi se marrëveshja financiare nuk përbën pranim faji dhe se çështja nuk lidhet drejtpërdrejt me Adani Green Energy.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi Adani konsiderohet një nga njerëzit më të pasur në botë dhe ka ndikim të madh në sektorët e energjisë, porteve, aeroporteve dhe infrastrukturës në Indi.
