Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka mohuar kategorikisht akuzat se Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s gjatë javëve të fundit. Gjatë një deklarate për mediat, Lavrov tha se Rusia “nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të sulmuar civilë apo infrastrukturë në territorin e vendeve evropiane.
“Incidentet ndodhin, por ne kurrë nuk qëllojmë me armë të synuara kundër tyre,” shtoi ai. Lavrov u ndal edhe te akuzat e Polonisë, sipas të cilës më 9 shtator dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të saj, duke thënë se Moska ka kërkuar një takim të menjëhershëm për të diskutuar çështjen, por “askush nuk dëshiron të diskutojë faktet.”
Ai theksoi se Rusia nuk synon me dronë ose raketa vendet e Evropës, pavarësisht nëse janë anëtare të BE-së apo NATO-s. Deklarata e Lavrov vjen ndërsa tensionet mes Moskës dhe Perëndimit po rriten, me incidente ushtarake dhe akuzat për provokime gjithnjë e më të shpeshta.