Gjykata e Apelit në Kretë ka dënuar me 11 vjet e 3 muaj burg një 48-vjeçar, baba i katër fëmijëve, pasi u shpall fajtor për vjedhje, përdhunim, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe hyrje të paligjshme në Greqi.
I pandehuri, një shtetas shqiptar me banim në Chania, sipas Protothema, mohoi të gjitha akuzat përveç vjedhjes, por nuk arriti të bindte gjykatën. Ajo konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke urdhëruar kthimin e tij në burgun e Grevenës, ku mbahej që nga arrestimi i tij në 2021.
Ngjarja nisi më 17 gusht 2021, kur një çift turistësh irlandezë, duke notuar natën në plazhin e Platanias, u grabitën. Pasi përdorën një aplikacion të gjurmimit të iPhone-it, ata e identifikuan të pandehurin së bashku me një bashkëpunëtor, të cilit iu gjetën sendet e vjedhura.
Hetimet e policisë zbuluan se 48-vjeçari kishte marrë pjesë edhe në përdhunimin në grup të një turisteje suedeze më 11 gusht 2021, po në të njëjtin plazh.
Gjatë gjyqit, i cili zgjati rreth 4 orë, u dëgjuan deklaratat e dëshmitarëve dhe dëshmitë e dy policëve. Edhe pse viktimat nuk ishin të pranishme në gjykatë, 48-vjeçari u dënua në bazë të provave të mbledhura nga hetuesit.
