Gruaja që pretendon se është abuzuar seksualisht nga kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale të Hagës është vënë në shënjestër të firmave private të inteligjencës si pjesë e një operacioni të fshehtë që thuhet se është zhvilluar nga Katari.

The Guardian ka zbuluar detaje të operacionit, nga ku janë siguruar informacione private për gruan, e cila punon në Gjykatën e Hagës, si dhe për anëtarët e familjes së saj.

Dokumentet që kanë dalë dhe burime të njohura me operacionin tregojnë se një nga firmat private kërkoi informacione për gruan dhe familjen e saj, përfshirë të dhënat biometrike dhe të dhëna personale të fëmijës së saj. Qëllimi ishte të gjenin prova që mund të përdoren për të minuar besueshmërinë e saj dhe pretendimet për abuzim kundër kryeprokurorit Khan.

Khan ka mohuar çdo akuzë dhe mbështetës të tij kanë pretenduar se akuzat mund të jenë pjesë e një fushate shpifjesh, “ndoshta për shkak të vendimit të tij në vitin 2024 për të kërkuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu”.

Në një deklaratë për Guardian, kompania Highgate mohoi të kishte vepruar kundër individit si dhe hodhi poshtë pretendimet se operacioni ishte paguar nga qeveria e Katarit. Avokatët e Khan konfirmuan se përfaqësues të tij kishin pasur takime me Highgate, por mohuan përfshirjen e Khan në aktivitetet e firmave private të inteligjencës.

Gratë që kanë ngritur akuzat kundër Khan kanë thënë se janë të tmerruara nga operacioni sekret dhe se nuk e prisnin të përfshiheshin në një hetim të tillë.

Një organ mbikëqyrës i OKB-së po heton akuzat e ngritura kundër Khan, ndërsa hetimi vazhdon të prodhojë pasoja gjeopolitike për gjykatën.