Tre të rinj u arrestuan në Antverp të hënën me akuzën e planifikimit të një “sulmi terrorist të frymëzuar nga xhihadistët” që synonte kryeministrin belg duke përdorur një dron, thanë gazetat belge.
Kryeministri belg Bart De Wever ishte objektivi, sipas autoriteteve gjyqësore. Arrestimet u kryen si pjesë e një hetimi për “tentativë vrasjeje terroriste dhe pjesëmarrje në veprimin e një grupi terrorist”, shpjegoi kreu i zyrës së prokurorit federal, Anne Franssen, në një konferencë për shtyp në Bruksel.
“Disa prova sugjerojnë se qëllimi i tyre ishte të kryenin një sulm terrorist me frymëzim xhihadist kundër politikanëve. Ka gjithashtu indikacione se qëllimi i tyre ishte të ndërtonin një dron të cilit do t’i bashkëngjisnin një ngarkesë”, shtoi ajo.
Zyra e prokurorit nuk dha detaje të mëtejshme rreth “politikanëve” të synuar, por mediat raportuan se kryeministri ishte objektivi. Sipas shtypit, policia kontrolloi një shtëpi disa qindra metra larg rezidencës së Bart De Wever në Antwerp.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së njërit prej të dyshuarve, u gjet një pajisje shpërthyese e improvizuar, e cila ende nuk ishte funksionale, si dhe një çantë shpine që përmbante topa metalikë. Një printer 3D u gjet në shtëpinë e të dyshuarit të dytë, “të cilin dyshojmë se do ta përdornin për të prodhuar objekte që do t’u shërbenin në kryerjen e sulmit”, tha Fransen.
Të dyshuarit janë të gjithë të rritur, të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007. Të dy dhanë deklarata në policinë gjyqësore dhe do të nxirren para një hetuesi nesër. I treti u lirua.