Momente paniku janë regjistruar në aeroportin Athens International Airport, pasi një avion i kompanisë Lufthansa u detyrua të kryente ulje emergjente pak minuta pas ngritjes nga Athina.

Avioni tip Airbus A321, që po realizonte fluturimin drejt Mynihut, ishte nisur normalisht nga pista, por ekuipazhi sinjalizoi një problem teknik gjatë fluturimit dhe kërkoi rikthim të menjëhershëm në aeroport për arsye sigurie.

Sipas raportimeve nga mediat greke, avioni u ul në mënyrë të kontrolluar, ndërsa menjëherë pas ndalimit u aktivizuan procedurat e emergjencës. Pasagjerët u evakuuan me shpejtësi përmes rrëshqitëseve të sigurisë, mes tensionit dhe konfuzionit në bord.

Në pistë ndodheshin automjete zjarrfikëse dhe ekipe emergjence, të cilat asistuan udhëtarët dhe siguruan zonën deri në përfundimin e operacionit.

Autoritetet greke bëjnë me dije se të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa raportohen vetëm dy persona me lëndime të lehta gjatë evakuimit.