Një shpërthim i norovirusit ka alarmuar autoritetet shëndetësore në një anije luksoze turistike gjatë një udhëtimi 20-ditor drejt Alaska, pasi më shumë se 100 pasagjerë dhe dhjetëra anëtarë të ekuipazhit u sëmurën me simptoma gastrointestinale.
Bëhet fjalë për anijen Ruby Princess, e operuar nga Princess Cruises, e cila u ankorua në San Francisco të enjten me 102 pasagjerë dhe 23 anëtarë ekuipazhi që shfaqnin simptoma si të vjella dhe diarre.
Sipas Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, norovirusi është një virus shumë ngjitës që shkakton probleme gastrointestinale dhe përhapet lehtësisht përmes kontaktit me persona të infektuar, sipërfaqe të kontaminuara apo ushqim dhe pije të prekura nga virusi.
Ekspertët paralajmërojnë se personat e infektuar mund të vazhdojnë ta përhapin virusin edhe për dy javë pas zhdukjes së simptomave.
Shpërthimi në bordin e “Ruby Princess” u raportua për herë të parë më 28 qershor dhe, sipas të dhënave paraprake, ka prekur mbi 3% të pasagjerëve dhe rreth 2% të ekuipazhit.
Anija ishte nisur nga San Francisco më 12 qershor, duke zhvilluar ndalesa në destinacione turistike në Kanada dhe Alaska, përpara rikthimit në Kaliforni këtë javë.
