Bangladeshi po përballet me shpërthimin më të rëndë të fruthit në më shumë se dy dekada, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë mbi 50 mijë raste të konfirmuara dhe të paktën 320 viktima që nga muaji mars.
Situata ka vënë nën presion sistemin shëndetësor të vendit, veçanërisht në Daka, ku repartet pediatrike janë mbushur me fëmijë të prekur nga komplikacione të rënda të virusit.
Në Spitali Sisou, mjekët raportojnë raste të shumta të fëmijëve me probleme serioze në frymëmarrje. Mes tyre është edhe një vajzë 3-vjeçare, e cila sipas familjarëve nuk kishte marrë dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit dhe u detyrua të trajtohej me oksigjen.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron fruthin një nga sëmundjet më ngjitëse në botë, ndërsa viktimat janë kryesisht fëmijë të pavaksinuar nën moshën 5-vjeçare.
Ekspertët në Bangladesh fajësojnë përhapjen e epidemisë te niveli i ulët i vaksinimit, kequshqyerja dhe dobësimi i sistemit shëndetësor pas krizës politike të vitit 2024. Sipas autoriteteve, ndikim ka pasur edhe reduktimi i ndihmës amerikane për zhvillim nga administrata e Donald Trump.
Qeveria ka nisur një fushatë emergjente vaksinimi dhe deri tani raportohet se janë vaksinuar rreth 17 milionë fëmijë që prej 5 prillit. Megjithatë, autoritetet pranojnë se situata mbetet kritike, ndërsa vetëm brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar 17 viktima.
Ministri i Shëndetësisë, Abu Hossain Moinul Ahsan, deklaroi se synimi i qeverisë është që niveli i vaksinimit të arrijë në 95%, për të krijuar imunitetin e tufës.
Përballë fluksit të pacientëve, ushtria ka ngritur edhe një spital fushor me 20 shtretër pranë Spitali Universitar i Dakës.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë gjithashtu rrezikun e një shpërthimi të etheve dengue, për shkak të reshjeve të fundit dhe shtimit të mushkonjave që transmetojnë virusin.
