Franca përjetoi natën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë mes 22 dhe 23 qershorit ndërsa vala e fortë e të nxehtit shkaktoi së paku 40 viktima nga mbytjet që nga 18 qershori, tha kryeministri Sebastien Lecornu.
Vala e të nxehtit përfshiu këtë vend që nga java e kaluar, duke çrregulluar jetën e përditshme dhe duke detyruar mbylljen e shkollave dhe anulimin e trenave.
Lecornu mblodhi ministrat për një takim të ri emergjent të martën, për të trajtuar situatën.
Sipas agjencisë meteorologjike Meteo-France, vendi regjistroi natën më të nxehtë ndonjëherë që nga fillimi i matjeve në vitin 1947.
Temperatura mesatare në nivel vendi arriti 21.6°C, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 21.4°C të vendosur në vitin 2019.
Lecornu e përshkroi situatën si një “tragjedi të madhe” dhe tha se viktimat janë pasojë e drejtpërdrejtë e krizës së të nxehtit.
“Shifra e fundit që na është raportuar, është 40 të vdekur që nga 18 qershori – kryesisht të rinj”, tha ai në takimin emergjent.
“Këto janë viktimat e para të krizës me të cilën po përballemi”, shtoi Lecornu.
Në të gjithë Francën, njerëzit janë duke u hedhur në kanale dhe lumenj për t’u freskuar.
Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, tha se e kupton dëshirën për t’i ikur të nxehtit, por paralajmëroi kundër notit në zona të paautorizuara ose të rrezikshme.
Sipas ekspertëve të motit, kjo valë e të nxehtit po shkaktohet nga një fenomen atmosferik i quajtur “Omega block”. Ai ka formë si shkronja greke Omega dhe krijon një masë ajri shumë të nxehtë në mes, ndërsa anash ka ajër më të freskët.
Kjo bën që temperaturat të rriten çdo ditë. Në Itali, Ministria e Shëndetësisë lëshoi alarmin më të lartë për 15 qytete, ndërsa autoritetet morën masa për të kufizuar punën.
Shërbimi Meteorologjik në Mbretërinë e Bashkuar parashikoi temperatura deri në 37°C në jug të Anglisë të martën – potencialisht një rekord i ri për muajin qershor.
Dhjetëra shkolla njoftuan se do të mbyllen, pasi ndërtesat e vjetra nuk janë të përshtatshme për klasë me më shumë se 30 nxënës.
Temperatura të larta mbizotërojnë edhe në pjesë të tjera të Evropës, përfshirë edhe Ballkanin.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit brenda vetëm dy muajsh, pas një periudhe të pazakontë të nxehtë në maj.
Shkencëtarët paralajmërojnë se përsëritja e këtyre valëve është një tregues i qartë i ngrohjes globale dhe se ato pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive. /rel
