Autoritetet shëndetësore në Frankfurt kanë zgjeruar monitorimin e mushkonjave pranë Aeroportit të Frankfurtit, pas zbulimit të disa rasteve të malaries, mes tyre edhe dy raste fatale.
Në fokus të kontrolleve janë mushkonjat e gjinisë Anopheles, pasi autoritetet dyshojnë se insekte të infektuara mund të jenë transportuar në Gjermani përmes fluturimeve ajrore.
Gjashtë punonjës të aeroportit u diagnostikuan me malarie gjatë muajve qershor dhe gusht, ndërsa dy prej tyre humbën jetën. Sipas autoriteteve, personat e prekur nuk kishin udhëtuar në zona tropikale dhe nuk kishin marrë transfuzion gjaku, duke ngritur dyshime për një burim lokal të infeksionit.
Rastet e fundit janë evidentuar në Schwanheim, një zonë pranë aeroportit. Dy personat e prekur nuk punojnë në aeroport dhe nuk kanë kryer udhëtime të gjata jashtë vendit. Ata po marrin trajtim mjekësor.
Autoritetet kanë ngritur një linjë telefonike për banorët, e cila po merr rreth 5 deri në 10 telefonata në orë, kryesisht lidhur me masat mbrojtëse ndaj pickimeve të mushkonjave.
Për të kuptuar nëse rastet e reja kanë lidhje me ato të mëparshme, mostrat e gjakut të pacientëve do të analizohen në një laborator të specializuar në Antverp të Belgjikës. Ekspertët do të krahasojnë profilin gjenetik të parazitit Plasmodium për të parë nëse infeksionet mund të kenë një burim të përbashkët.
Ndërkohë, ekspertët e konsiderojnë të pazakontë skenarin që mushkonja të infektuara të jenë transportuar në mënyrë të përsëritur përmes avionëve. Parazitologu Sven Klimpel ka kërkuar më shumë të dhëna përpara nxjerrjes së përfundimeve, ndërsa ka sugjeruar vendosjen sa më shpejt të një rrjeti të gjerë kurthesh për monitorimin e mushkonjave.
Sipas ekspertit, nuk konsiderohet e mundshme që mushkonjat e infektuara të jenë shumuar në aeroport dhe më pas të jenë përhapur në zonat përreth.
