Autoritetet e Greqisë kanë dërguar forca speciale, ekipe shpëtimi, tenda dhe dronë në ishullin e Santorinit pasi në zonë u regjistruan qindra lëkundje sizmike.
Mes frikës për një tërmet më të madh që mund të shkaktonte një cunami, njerëzit u këshilluan të shmangin vijën bregdetare dhe ndërtesat e braktisura, të zbrazin pishinat dhe të përmbahen nga grumbullimi i një numri të madh në hapësira të mbyllura.
Ministria e Mbrojtjes Civile njoftoi se shkollat do të mbyllen të hënën, si masë paraprake.
“Asgjë nuk mund të përjashtohet. Dhe kjo është arsyeja pse po merren masa paraprake, pikërisht për të kufizuar ndikimin e një tërmeti më të fortë”,- tha Kostas Papazachos, profesor i gjeofizikës në Universitetin Aristotele të Selanikut, raportojnë mediat vendase.
Të dielën masa të ngjashme u morën në Amorgos dhe ishujt e afërt të Ios dhe Anafi, ekipet e shpëtimit në Santorini ngritën tenda në zona të larta në fusha basketbolli dhe në parkingje makinash.