Autoritetet britanike kanë nisur një hetim urgjent pas raportimeve se një anije luftarake ruse dyshohet se ka hapur zjarr në afërsi të një jahti me flamur britanik në ujërat ndërkombëtare pranë Kanalit Anglez.
Sipas informacioneve paraprake, ekuipazhi i jahtit ka deklaruar se një fregatë ruse e klasit “Admiral Grigorovich” qëlloi me armë zjarri ndërsa mjeti civil po i afrohej anijes ushtarake. Incidenti mësohet të ketë ndodhur rreth 20 milje detare në jug të Ishullit Wight.
Ministria Britanike e Mbrojtjes ka konfirmuar se po heton ngjarjen për të sqaruar rrethanat dhe natyrën e të shtënave. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Ngjarja vjen në një moment të tensioneve të larta mes Londrës dhe Moskës, marrëdhënie që janë përkeqësuar ndjeshëm pas nisjes së luftës në Ukrainë. Pak ditë më parë, autoritetet britanike ndërmorën një operacion për kontrollin e një anijeje cisternë ruse, e cila dyshohej se ishte pjesë e të ashtuquajturës “flota në hije”, e përdorur për të shmangur sanksionet perëndimore.
Paralelisht, qeveria britanike ka vendosur sanksione të reja ndaj sektorit energjetik rus dhe rrjetit të anijeve që dyshohet se ndihmojnë eksportet e naftës ruse.
Analistët e sigurisë e shohin incidentin në Kanalin Anglez si një zhvillim që mund të rrisë më tej tensionet mes dy vendeve, megjithëse deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet ruse lidhur me pretendimet e ngritura nga pala britanike.
