Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin e Norvegjisë mbrëmjen e së martës, kur një granatë shpërtheu në qendër të Oslos, pranë një sinagoge.

Autoritetet reaguan menjëherë duke mbërritur në vendngjarje, ku zbuluan edhe një granatë të dytë, e cila u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga policia. Mediat norvegjeze raportojnë se një djalë 13-vjeçar është arrestuar në lidhje me incidentin.

Sipas shefit të operacioneve të policisë, Vidar Pedersen, shpërthimi ndodhi në zonën e Parkveien rreth orës 20:44 të mbrëmjes, çka solli një mobilizim të menjëhershëm të forcave të rendit dhe shërbimeve të emergjencës.

“Shërbimet e emergjencës janë në Pilestredet pas një shpërthimi. Situata është e paqartë dhe ne po punojmë intensivisht në vendngjarje”, deklaroi Pedersen.

Nuk është raportuar ende për të lënduar apo për dëme materiale, ndërsa autoritetet po hetojnë për të sqaruar motivet e këtij akti.

Në vendngjarje u dërguan edhe tre automjete nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Oslos, ndërkohë që policia ka rritur masat e sigurisë përreth zonës, e cila ndodhet pranë institucioneve qeveritare dhe arsimore.

Ngjarja mbetet nën hetim dhe arrestimi i një të mituri si i dyshuar ka ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik norvegjez.