Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rikthehen në qendër të vëmendjes pas raportimeve për një plan të pretenduar iranian për të kryer një sulm me dron ndaj presidentit amerikan, Donald Trump si dhe ndaj zyrtarëve të lartë të administratës së tij. Sipas mediaveshërbimi sekret izraelit Mossad i ka përcjellë CIA-s informacione mbi kërcënimin e mundshëm, duke bërë që autoritetet amerikane të rrisin masat e sigurisë.
Raporti pretendon gjithashtu se Trump ka kufizuar daljet e tij publike, ndërsa disa zyrtarë të lartë amerikanë janë zhvendosur në ambiente me siguri të shtuar. Megjithatë, deri më tani, Shtëpia e Bardhë dhe CIA nuk e kanë konfirmuar publikisht ekzistencën e një plani konkret sulmi me dron.
Sipas raportimeve, paralajmërimi i fundit i Mossad-it vjen në një kohë kur ekzistojnë edhe precedente të mëparshme për kërcënime të mundshme iraniane ndaj jetës së presidentit amerikan. Në gusht të vitit 2026, Reuters raportoi se Izraeli kishte përcjellë vazhdimisht informacione në Uashington për plane të mundshme iraniane kundër Trump, duke përfshirë skenarë me snajperistë, sulme me thikë dhe madje edhe një tentativë të mundshme ndaj avionit presidencial gjatë vizitës së tij në Turqi për samitin e NATO-s.

Në atë rast, Shërbimi Sekret amerikan kishte ndërmarrë masa të pazakonta sigurie, duke transferuar Trump nga avioni presidencial në një tjetër avion ushtarak. Megjithatë, inteligjenca amerikane nuk kishte arritur të konfirmonte në mënyrë të pavarur disa prej informacioneve të përcjella nga pala izraelite, ndërsa edhe shërbimet turke nuk kishin gjetur prova për skenarin e pretenduar.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit përkojnë me vizitën në SHBA të kreut të Mossad-it, Roman Goffman, i cili raportohet se po zhvillon kontakte me zyrtarë të lartë të administratës Trump për situatën në Iran dhe opsionet e mundshme të Uashingtonit ndaj Teheranit. Në axhendën e tij përmendet një takim me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, si dhe një takim i mundshëm me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.

Vizita zhvillohet në një moment kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon nga administrata amerikane të shqyrtojë mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit. Një tjetër element që shton shqetësimin e autoriteteve amerikane është edhe vlerësimi se Teherani kërkon prej vitesh hakmarrje për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani, në janar të vitit 2020, me urdhër të Trump. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse paralajmërimi i fundit bazohet në prova konkrete për një operacion të planifikuar apo në informacione që ende kërkojnë verifikim të pavarur nga shërbimet amerikane.
