Reshje të dendura shiu që ranë nga e shtuna në të dielë pranë Malagës kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të jugut të Spanjës. Sipas autoriteteve, deri më tani nuk raportohet për viktima.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të përmbytura në disa fshatra gjatë natës, ndërsa shërbimet e emergjencës vijuan punën në orët e para të mëngjesit për pastrimin dhe normalizimin e situatës. Kreu i operacioneve të menaxhimit të emergjencave të qeverisë rajonale të Andaluzisë, Antonio Sanz Cabello, bëri të ditur se reshjet intensive kanë shkaktuar 339 incidente, asnjëri prej tyre serioz, kryesisht në provincën e Malagës.
Sipas tij, autoritetet rajonale vazhdojnë të mbajnë në fuqi nivelin e emergjencës, ndërsa Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (Aemet) ka ulur nivelin e alarmit nga i kuq në portokalli gjatë paradites.
Në lindje të Andaluzisë, rajoni i Murcias, në bregdetin e Mesdheut, u vendos sot në alarm të kuq, ndërsa Aemet u bëri thirrje qytetarëve për kujdes maksimal në orët në vijim, veçanërisht në rajonin fqinj të Valencias, për shkak të rrezikut të dëmeve serioze.
Spanja vijon të jetë e ndikuar nga pasojat e përmbytjeve të rënda të tetorit 2024, të cilat shkaktuan mbi 230 viktima, kryesisht në rajonin e Valencias. Autoritetet kujtojnë se në Spanjë menaxhimi i fatkeqësive natyrore, veçanërisht atyre të lidhura me klimën, është përgjegjësi e autoriteteve rajonale.


