Stambolli është zgjuar sot nga një tronditje e fuqishme me magnitudë 6.2 ballë, me epiqendër në Silivri. Lëkundjet janë ndjerë fuqishëm në gjithë qytetin dhe rrethinat, duke shkaktuar panik tek qytetarët.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, konfirmoi se ekipet e AFAD dhe institucionet përkatëse kanë nisur menjëherë verifikimet në terren.

Eksperti i njohur i tërmeteve, Şükrü Ersoy, e cilësoi situatën alarmante, duke rikujtuar se në të njëjtën zonë ka ndodhur një tërmet me magnitudë 5.8 edhe në vitin 2019. Sipas tij, tërmeti i sotëm mund të jetë paralajmërues i një goditjeje edhe më të fortë në Marmara.

“Ky është një vend kritik. Mund të ndodhë një tërmet edhe më i fuqishëm në vijim. Duhet të jemi vigjilentë dhe të shmangim qëndrimin pranë ndërtesave,” paralajmëroi Ersoy.

Ndërkohë, nuk raportohet për viktima apo dëme serioze deri më tani, por autoritetet vijojnë kontrollin në zonat më të rrezikuara.