Për më shumë se tre ditë, centrali bërthamor i Zaporizhias, më i madhi në Evropë, ndodhet pa furnizim të jashtëm me energji elektrike, duke rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë e tij.
Kjo është ndërprerja më e gjatë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe ka detyruar centralin të kalojë në funksionim emergjent, duke u mbështetur vetëm në gjeneratorët me naftë, të cilët përdoren për të mbajtur në funksion sistemet e ftohjes dhe sigurisë.
Linja e fundit e tensionit të lartë, që kalonte mbi lumin Dnieper dhe lidhej me territorin ukrainas, u shkatërrua të martën, në një zonë të kontrolluar nga forcat ruse. Aktualisht, centrali operon me vetëm 7 nga 18 gjeneratorët e tij. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), ka karburant për rreth 20 ditë, por drejtori i saj, Rafael Grossi, ka paralajmëruar se mungesa e furnizimit të jashtëm “rrit ndjeshëm rrezikun për një aksident bërthamor”.
Moska ka akuzuar Kievin për “bombardime të vazhdueshme” në zonën e centralit, ndërsa autoritetet ukrainase e hedhin poshtë këtë pretendim dhe e quajnë skajshmërisht të rrezikshëm. Sipas tyre, Rusia po përpiqet të fabrikoje një krizë të re për të forcuar kontrollin mbi centralin. Greenpeace e cilëson situatën si “një fazë të re kritike dhe potencialisht katastrofike”.
Centrali u pushtua nga Rusia në mars të vitit 2022. Moska ka deklaruar se synon të rifillojë funksionimin e reaktorëve dhe t’i lidhë ata me rrjetin energjetik rus, diçka që ekspertët thonë se është e mundur vetëm në kushte paqeje. Aktualisht, të gjashtë reaktorët janë në “çaktivizim të ftohtë”, si masë sigurie.
Pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë në vitin 2011, rregullatorët evropianë kanë vendosur si standard që një central duhet të jetë në gjendje të operojë për të paktën 72 orë pa energji të jashtme. Ky afat tashmë është tejkaluar në Zaporizhia – një situatë që nuk është testuar kurrë më parë në praktikë.
Sipas burimeve ukrainase, nëse dështojnë edhe gjeneratorët, karburanti bërthamor në gjashtë reaktorët mund të mbinxehet në mënyrë të pakontrolluar brenda disa javësh, duke rrezikuar shkrirjen e bërthamës. Edhe pse situata nuk është identike me atë të Fukushimës, ku katastrofa ndodhi brenda tre ditësh si pasojë e tërmetit dhe cunamit, ekspertët paralajmërojnë se kërcënimi i një aksidenti bërthamor në Zaporizhia mbetet real.
Çështja e sigurisë së centralit është ngritur edhe në diskutime mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. Trump thuhet se ka propozuar që kontrolli i centralit t’i kalojë SHBA-ve, ndërsa Rusia insiston në integrimin e tij në rrjetin e saj energjetik.