Në adresat e e-maileve te 47 institucione arsimore në Shkup dhe Kumanove kanë mbërritur kërcënime për bomba që sipas përmbajtjes së mesazhit do të aktivizoheshin mëngjesin e kësaj të mërkure.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftuan se janë kryer kontrolle dhe konfirmuan se paralajmërimet kanë qenë të rreme.

Dje rreth orës 18.00 është denoncuar se në emailet e 30 shkollave në Shkup dhe 17 në Kumanovë, kanë arritur mesazhe për pajisje eksplozive. Nga kontrollet konfirmohet se bëhet fjalë për denoncime të rreme.

Një prej shkollave e cila u kontrollua e para, ishte shkolla “Hasan Prishtina” në Çair.

Drejtoresha e kësaj shkolle njoftoi se policia mbërriti në institucion përpara se fëmijët të fillonin mësimin dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim.

Paralajmërimet për bomba të vendosura nëpër shkolla nuk janë diçka e re në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e burimit të kërcënimeve, ndërsa procesi mësimor u ndërpre përkohësisht.

Në Shkup ka një numër të madh shqiptarësh ashtu si në komunën e Kumanovës.