Një alarm i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në aeroportin e Mynihut, pasi raportuan dronë të panjohur mbi dhe rreth pistave.

Autoritetet u detyruan të mbyllin aeroportin për disa orë, duke ndikuar në qindra fluturime dhe mijëra pasagjerë, raporton Bild.

Rreth orës 22:30 të mbrëmjes të së enjtes, trafiku ajror në aeroportin e Mynihut u ndërpre papritur. Shkak për këtë u bë shfaqja e disa dronëve të panjohur në hapësirën ajrore pranë dhe mbi territorin e aeroportit.

Policia Federale Gjermane ka bërë me dije se dronët u panë fillimisht rreth një orë më parë në periferi të aeroportit. Pavarësisht hetimeve të menjëhershme, policia nuk arriti të identifikojë as pajisjet fluturuese dhe as pronarët e tyre.

Pak më vonë, rreth orës 22:30, dronët u shfaqën sërish, këtë herë duke fluturuar mbi pistat e aeroportit. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer, i cili theksoi se oficerët në vendngjarje e kishin verifikuar vizualisht praninë e dronëve. Megjithatë, për shkak të errësirës, nuk ishte e mundur të përcaktohej lloji apo madhësia e tyre.

Si pasojë e incidentit, autoritetet vendosën pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve. 17 fluturime nuk u lejuan të niseshin, ndërsa 15 avionë hyrës u devijuan drejt aeroporteve të tjera si Shtutgarti, Nurembergu, Vjena dhe Frankfurti.

Mbi 3,000 pasagjerë mbetën të bllokuar në ambientet e aeroportit, ku atyre iu ofruan ushqime të lehta, pije dhe shtretër kampingu për të kaluar natën.

Policia Federale konfirmoi se trafiku ajror rifilloi normalisht të premten në mëngjes, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e dronëve dhe autorëve.