Benzina ka kaluar tashmë kufirin e 2 eurove për litër në Greqi dhe çmimet pritet të rriten përsëri në ditët e ardhshme. Mesatarja në rang vendi e benzinës pa plumb ka arritur në 2 euro e 1,5 cent, ndërsa nafta kushton mesatarisht 2 euro e 2 cent për litër.
Por sipas përfaqësuesve të pikave të karburantit, rritja nuk ka përfunduar ende. Gjatë shtatë ditëve të fundit, rafineritë kanë rritur çmimin e naftës me 11 deri në 12 cent dhe atë të benzinës me 6 deri në 7 cent. Një pjesë e kësaj rritjeje nuk ka kaluar ende te konsumatori dhe pritet të reflektohet në pompat e pikave të karburantit gjatë ditëve të ardhshme.
Shqetësimi më i madh për qytetarët është 1 shtatori pasi në 31 gusht përfundojnë masat aktuale të mbështetjes së qeverisë . Nëse ato nuk zgjaten, Federata e Shitësve të Karburanteve paralajmëron se benzina mund të arrijë në 2 euro e 20 cent, ndërsa nafta në 2 euro e 25 cent për litër. Rritja e çmimit të karburanteve vjen në një moment kur familjet greke vazhdojnë të përballen me koston e lartë të jetesës. Inflacioni në Greqi shkoi në 3,4% në korrik, ndërsa energjia dhe shërbimet vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare.Dhe karburantet nuk prekin vetëm drejtuesit e automjeteve.
Rritja e naftës rrit edhe kostot e transportit dhe, për pasojë, mund të kalojë në çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera. Qeveria po shqyrton zgjatjen e subvencionit për naftën edhe pas fundit të gushtit. Ndërkohë, sytë janë kthyer nga Panairi Ndërkombëtar i Selanikut, në fillim të shtatorit, ku kryeministri Kyriakos Mitsotakis pritet të shpallë një paketë të re lehtësimesh për familjet, pensionistët, shtresën e mesme dhe bizneset e vogla.
