99 shkencëtarë francezë, kryesisht nga fusha e klimatologjisë, por edhe e ekonomisë dhe sociologjisë, kanë bërë thirrje për një ligj emergjent për klimën në një artikull të përbashkët që është publikuar sot në gazetën franceze Le Monde.

“Jemi të gjithë të tronditur nga ditët e nxehtësisë ekstreme që sapo përjetuam”, janë fjalët hapëse të artikullit, me të cilin 99 shkencëtarët japin alarmin dhe kërkojnë masa për përballimin e ngrohjes globale, e cila, sipas tyre, po shkakton rritjen e shpeshtësisë së valëve të të nxehtit.

“Populli francez i ka përjetuar pasojat e ndryshimeve klimatike nga afër”, thuhet në tekst, ku theksohet se miratimi i një legjislacioni të ri për përballimin e krizës klimatike është “çështje e mbijetesës sonë kolektive”.

Ndër prioritetet e këtij ligji duhet të jetë ndalimi i financimit dhe pjesëmarrjes së të gjitha kompanive franceze, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në zhvillimin e projekteve të reja të lëndëve djegëse fosile në Francë ose jashtë saj, theksojnë nënshkruesit. Ata akuzojnë për “cinizëm” kompaninë franceze të naftës dhe gazit TotalEnergies, duke vënë në dukje se më 24 qershor 2026, pra në ditën më të nxehtë në historinë e Francës, ajo njoftoi pjesëmarrjen e saj në një projekt të ri të lëndëve fosile në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Industria e lëndëve djegëse fosile dhe dekadat e mosveprimit për klimën kanë prishur klimën relativisht të qëndrueshme që Toka ka përjetuar për 12.000 vjet”, paralajmërojnë autorët e artikullit, duke shtuar megjithatë se “ende mund të parandalojmë që bota të bëhet e pabanueshme për pjesë të mëdha të njerëzimit”.

Nënshkruesit e kësaj letre të hapur kërkojnë gjithashtu krijimin e një fondi të gjelbër për financimin e projekteve të pushtetit vendor që synojnë përshpejtimin e tranzicionit ekologjik. Valët e përsëritura të të nxehtit, sipas tyre, janë një tregues i qartë i ndryshimeve klimatike të shkaktuara kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror. Ata theksojnë gjithashtu se në të ardhmen valët e të nxehtit pritet të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.