Tre persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë të infektuar pasi një anije turistike me bazë në Holandë është kthyer në qendrën e shpërthimit të hantavirusit, një virus që transmetohet nga brejtësit dhe që mund të shkaktojë sëmundje fatale të frymëmarrjes.

“Oceanwide Expeditions” me seli në Holandë, tha në një njoftim për shtyp se po menaxhonte një situatë serioze mjekësore në një anije ekspedite polare, MV Hondius, e cila ishte pranë Kepit të Gjelbër. Anija turistike u nis nga Argjentina rreth tre javë më parë me rreth 150 pasagjerë dhe u ndal në Antarktidë dhe vende të tjera gjatë rrugës për në Kepin e Gjelbër.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në një postim në X, se një nga pasagjerët e sëmurë ishte në kujdes intensiv në Afrikën e Jugut. OBSH beri me dije se po hetonte shpërthimin, duke shtuat se testet laboratorike kanë konfirmuar hantavirusin në një nga gjashtë personat.

Më tej, “Oceanwide Expeditions” tha se autoritetet e Kepit të Gjelbër nuk kishin dhënë leje për zbritjen e pasagjerëve që kërkonin kujdes mjekësor dhe se autoritetet holandeze po kërkonin të organizonin riatdhesimin e dy pasagjerëve simptomatikë së bashku me trupin e një pasagjeri të ndjerë.

Hantavirusi mund të përhapet kur jashtëqitjet dhe urina e brejtësve përhapen në ajër, si për shembull kur njerëzit pastrojnë hambaret ku kanë jetuar minjtë. OBSH tha se virusi mund të përhapet midis njerëzve në raste të rralla. Sëmundja fillon me simptoma të ngjashme me gripin dhe mund të çojë në dështim të zemrës dhe mushkërive, me rreth 40% të rasteve që rezultojnë në vdekje, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin e Sëmundjeve. Nuk ka ilaçe specifike për të trajtuar hantavirusin, kështu që trajtimi përqendrohet në kujdesin mbështetës, duke përfshirë vendosjen e pacientëve në ventilatorë në raste të rënda.