Një sulm ajror rus ka dëmtuar rrjetin elektrik që furnizon me energji strukturën mbrojtëse të re në termocentralin bërthamor të Çernobilit, objekt që mbulon pjesën e reaktorit të dëmtuar gjatë katastrofës së vitit 1986. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Energjisë së Ukrainës.
Sipas njoftimit zyrtar, “si pasojë e luhatjeve në furnizimin me energji, Këllëfi Mbrojtës i Ri, një strukturë thelbësore që izolon njësinë e katërt të dëmtuar dhe ndalon lirimin e materialeve radioaktive në mjedis, ka mbetur pa energji elektrike”.
Më herët gjatë ditës, një dron rus ka goditur një nënstacion elektrik në qytetin Slavutych, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë në qytet dhe në disa zona të krahinës Chernihiv, sipas autoriteteve lokale.
Nuk është hera e parë që kjo strukturë goditet. Në muajin shkurt, një tjetër dron rus i tipit Shahed kishte goditur të njëjtin objekt mbrojtës mbi reaktorin e katërt. Edhe pse struktura pësoi dëmtime, nuk pati atëherë rrjedhje serioze radioaktive.
Ndërkohë, situata në termocentralin tjetër bërthamor në Zaporizhia, më i madhi në Evropë, vijon të jetë kritike. Ky impiant ndodhet nën kontrollin e forcave ruse që nga marsi i vitit 2022 dhe aktualisht është i shkëputur nga rrjeti elektrik i Ukrainës për më shumë se 100 orë, një rekord i rrezikshëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi më 30 shtator se situata në Zaporizhia është “kritike”, duke shtuar se stacioni po mbahet funksional nga gjeneratorë me naftë, prej të cilëve një është tashmë jashtë funksionit.