Virusi Nipah (Henipavirus nipahense), i identifikuar për herë të parë në vitin 1998, konsiderohet një nga viruset zoonotikë më të rrezikshëm, për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë dhe mungesës së trajtimeve specifike. Virusi përhapet kryesisht nga lakuriqët e natës dhe mund të infektojë si kafshët, veçanërisht derrat, ashtu edhe njerëzit.
Aktualisht, nuk ekziston asnjë vaksinë apo terapi e dedikuar kundër virusit Nipah. Deri më tani, asnjë rast i infektimit nuk është regjistruar në Shtetet e Bashkuara.
Simptomat e para të infeksionit përfshijnë kollë, vështirësi në frymëmarrje, ethe, dhimbje koke dhe dhimbje fyti. Ato zakonisht shfaqen brenda 4 deri në 14 ditësh pas ekspozimit ndaj virusit, megjithëse në disa raste është vërejtur edhe një periudhë më e gjatë inkubacioni. Sëmundja zgjat zakonisht nga tre deri në dy javë.
Në fazat më të rënda, infeksioni mund të çojë në encefalit, një inflamacion serioz i trurit, i cili shoqërohet me konfuzion, përgjumje dhe kriza. Në shumë raste, pacientët mund të bien në koma brenda 24 deri në 48 orësh.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e vdekshmërisë nga virusi Nipah vlerësohet të jetë midis 40 dhe 75 për qind, duke e bërë atë një nga sëmundjet infektive më vdekjeprurëse të njohura deri më sot.
